Secondary Adv

Falja me kusht e detyrimeve tatimore, afat deri në fund të nëntorit për të hequr dorë nga gjyqet

Tatimpaguesit në proces ankimi ose gjyqësor duhet të heqin dorë nga çështja deri më 30 nëntor 2026 për të përfituar nga falja.

Tatimpaguesit që kanë çështje në ankim administrativ apo në proces gjyqësor kanë afat deri më 30 nëntor 2026 për të paraqitur aktin e heqjes dorë nga ankimi, padia apo rekursi, në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në skemën e “Faljes me Kusht” të detyrimeve tatimore. Sipas Administratës Tatimore, subjektet duhet ta paraqesin këtë akt pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse.


Një element i rëndësishëm i procedurës është radha e veprimeve. Akti i heqjes dorë nga ankimi administrativ ose nga e drejta e padisë, ankimit apo rekursit duhet të dorëzohet përpara pagesës së detyrimit principal dhe në çdo rast jo më vonë se 30 nëntor 2026. Procedura nis me paraqitjen e një kërkese zyrtare nga subjekti pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, së bashku me aktin përkatës të heqjes dorë.


Heqja dorë nga ankimi, kusht për përfitimin

Administrata Tatimore sqaron se tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi mund të përfitojnë nga dispozitat e ligjit vetëm nëse heqin dorë nga ankimi, padia ose rekursi, sipas rastit dhe në përputhje me përcaktimet ligjore. Për proceset gjyqësore, kusht për përfshirjen në skemë është paraqitja e aktit të heqjes dorë dhe jo domosdoshmërisht marrja e menjëhershme e një vendimi gjyqësor për pushimin e çështjes.


Skema zbatohet në bazë të ligjit nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”. Për subjektet që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor, përfitimi nga lehtësitë lidhet drejtpërdrejt me heqjen dorë nga procedura e kundërshtimit të detyrimit.


Çfarë parashikon falja për detyrimet e viteve 2015–2024

Për detyrimet tatimore të periudhës 1 janar 2015–31 dhjetor 2019, ligji parashikon, në varësi të afatit të pagesës, fshirjen e një pjese të principalit, ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht. Për detyrimet e periudhës 1 janar 2020–31 dhjetor 2024, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht me kushtin që principali të paguhet i plotë brenda periudhës së përcaktuar.


Administrata Tatimore tërheq vëmendjen se afati për paraqitjen e aktit të heqjes dorë duhet të dallohet nga afatet e përcaktuara për pagesën e principalit. Për subjektet që kanë një çështje në ankim administrativ apo gjyqësor, fillimisht duhet të formalizohet heqja dorë nga procedura dhe më pas të përmbushen kushtet e pagesës sipas kategorisë përkatëse.


Tatimpaguesve u kërkohet gjithashtu të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin e-Filing dhe të kryejnë pagesat përkatëse brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të mos humbasin mundësinë për të përfituar nga lehtësitë fiskale të skemës.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat